Punëtorët teknikë dhe të sigurimit të UP-së protestojnë para Rektoratit
Qëndresa Duraku Xharra | RTKlive
250 punëtorë teknikë dhe ata të sigurimit fizik, pas 4 javësh greve, iu drejtuan Rektoratit me një protestë njëorëshe.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, gjatë protestës bëri akuza në drejtim të Rektoratit dhe Qeverisë së Kosovës për mos zgjidhjen e problemit të këtyre punëtorëve.
Ai tha se 150 punëtorëve teknikë nuk u ka dalë fare paga mujore, përderisa atyre të sigurimit fizik u janë përgjysmuar pagat nga 60 euro më pak. Ai tha se edhe nesër do të protestohet, me ç’rast paralajmëroi edhe radikalizmin e tyre, në rast se nuk bëhet zgjidhja e problemit.
“Sot kemi hyrë në ditën e 11-të të muajit mars dhe punëtorët e pastrimit teknik, nuk i kanë pagat e tyre edhe pse ato paga janë 250 euro. Kjo është drejtësia, ky është shteti i cili neve na udhëheq. Edhe kur i kemi marrë rrogat e plota nuk kemi pasur mundësi t’ua shtrojmë sofrën e begatë familjarëve tonë, e sot nuk i kemi as ato paga. Nuk qajnë kokën që studentët ndoshta shumë shpejt munden edhe të kenë ndonjë infektim sepse shumë normal që nuk janë kryer punët si duhet. Ne gjatë kohës së periudhës së grevës kemi kryer anët vitale siç thotë Ligji dhe ato po i kryejmë”, ka theksuar Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat.
Ai tutje ka thënë se përderisa nuk plotësohen kushtet e këtyre punëtorëve, atëherë as rektori dhe pjesa tjetër e rektoratit nuk do të lihen rehat.
Azemi ka kritikuar edhe kryeministrin Kurti, pasi sipas tij nuk e ka realizuar premtimin që paga e këtyre punëtorëve të jetë 350 euro.
“Nuk po lypim nga 600 euro, nuk po kërkojmë që të na paguhet rryma sikurse serbëve në veri të Mitrovicës. Ne po kërkojmë që fëmijëve tanë t’ua ofrojmë minimumin e minimumit. Nuk ofrohet minimum me 250 euro e këtë ta harrojë edhe rektori, edhe kryeministri edhe ministrja e Arsimit. Ne jemi në të drejtën tonë dhe gjithkund në botë kërkohet paga e arsyeshme”, ka nënvizuar Azemi.
Kryetari i Shoqatës së Punëtorëve të Sigurimit Fizik të UP-së, Arsim Gjinofci, tha se po hyjnë në javën e 4-t të grevës pa asnjë bisedim me rektoratin.
“Këta janë që na kanë sjellë neve këtu. Ne nuk kemi ardhur me dëshirën tonë këtu, por këta nuk dëshirojnë me lëvizë pagën bazë, që do të thotë se paga bazë është 322 euro. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe bisedim, mirëpo këta nuk duan të dëgjojnë për ne”, tha Gjinofci.
Ndërkaq, Riza Shala, kryetar i Shoqatës së Punëtorëve Teknikë në UP, tha se jo që vetëm nuk po bëhet ngritja e pagës por edhe është bllokuar paga minimale, gjë e cila po ua vështirëson jetën.
























