Nikolla pret Wisner-in: Përpjekje për rikthimin e Kuvendit në normalitet
ATSH
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA-së, David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.
Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Gjithashtu, Nikolla e informoi Wisner-in mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.
Wisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët e Shqipërisë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euroatlantik, si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit. Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Lidhur me takimin, ambasada e SHBA-së në Tiranë u shpreh se i ngarkuari me Punë, David Wisner, u takua sot me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për të nënvizuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe për shtetin e së drejtës dhe përpjekjet e saj kundër korrupsionit, ndërsa ajo përparon në integrimin e saj euroatlantik.























