Studentët e Fakultetit Filozofik bojkotojnë mësimin|Video
BKT
Lajme

Studentët e Fakultetit Filozofik bojkotojnë mësimin|Video

Qendresa Duraku / RTK

Shumë mbeturina e kanë mbuluar oborrin e Fakultetit Filozofik, pas hyrjes në grevë të punëtorëve teknik. Gjendja e krijuar i ka shtyrë studentët ta bojkotojnë mësimin.

Punëtorët që për një muaj ishin në grevë tani kanë filluar me protesta me kërkesën për rritje page.

"Gjatë ditëve të kaluara ne vazhdimisht kemi pranuar kërkesa dhe ankesa për studentët të cilët kanë alergji e që preken nga alergjitë nga pluhuri dhe mbeturinat tjera e kjo pastaj po e rrezikon shëndetin e studentëve. Ne vlerësojmë që pastërtia dhe higjiena në UP, nuk janë luks, por janë nevoja bazike të cilat duhet të plotësohen", ka thënë Ismet Krasniqi, përfaqësues i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik në UP.

Pas katër javë greve, punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizikë të UP-së për rreth një orë kanë protestuar para rektoratit, me kërkesën për rritje pagash.

"Unë personalisht varem vetëm prej kësaj page prej 250 eurosh. Në qoftë se edhe një javë nuk dalin pagat, unë do të mbetem në mëshirën e atyre policëve kolegëve mbrapa meje sepse edhe ata me 250 euro nuk mund të mbijetojnë dhe nuk mbetur asnjë person që mbijeton sot me 250 euro”, ka thenw Zeqir Krasniqi, punëtor teknik në UP.

Kurse Bedri Elshani, punëtor i sigurimit fizik në UP, ka thënë, "4 fëmijë në shkollë i kam, çka me bë me 300 euro, plus na e kanë ndal gjysmën, qysh me jetu"

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, gjatë protestës hodhi akuza në drejtim të rektoratit dhe Qeverisë për mungesë dialogu social.

"Ne jemi në të drejtën tonë dhe gjithkund në botë kërkohet paga e arsyeshme. Paga në sektorin publik për punën që ne kryejmë është me Ligjin mbi paga është 400 euro andaj as nuk kemi lyp 500 e as 600 por kemi lyp aq sa i marrin edhe të tjerët", ka thënë Azemi.


MË SHUME NGA Lajme