Osmani pas takimit me Escobar: Bashkëpunimi me SHBA bosht i veprimeve tona
Blerim Halimi / RTKlive
(Plotësuar, 11:45)Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi me aleatët, e veçanërisht me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve.
Ajo një deklaratë të tillë e ka bërë pas takimit me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar.
“Sapo e përfunduam një takim përmbajtësor në të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe proceset e rëndësishme në të cilat po kalon Republika e Kosovës. Përgjatë çdo faze e sfide SHBA-të kanë qëndruar përkrah Kosovës, për çka populli i Kosovës do të jetë mirënjohës. Prandaj, bashkëpunimi me aleatët tanë, veçanërisht me SHBA-të duhet të jetë bosht i veprimeve tona. Puna jonë e përbashkët me SHBA-të ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ajo tutje ka thënë se bashkëpunimi me aleatët është si në përpjekjet e pakompromis për të siguruar sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht sa i përket integrimeve në institucionet veriatlantike.
“Prandaj bashkëpunimi me aleatët jo vetëm se është i dobishëm por edhe i domosdoshëm”, ka thënë presidentja.
Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, për të cilin presidentja tha se janë thellësisht të përkushtuar, ka potencuar se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë të Bashkimit Evropian ndaj palëve. “Është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes Bazike të shkurtit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit 2023. Prandaj, qasja selektive vetëm e neneve të caktuara të Marrëveshjes Bazike nuk do të ndihmojë sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se angazhimi dhe roli i SHBA-së mbetet kyç për përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, e cila do të dërgonte në njohje të ndërsjellë.
Ajo ka falënderuar partnerët, veçanërisht SHBA-të, për konfirmimin se rendi kushtetues dhe integriteti territorial e funksionaliteti shtetëror do të mbrohen përherë.
“Edhe procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në veri është duke u realizuar konform procedurave të vendosura me ligj dhe me udhëzim administrativ, në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të garantuar në ligjin për vetqeverisje lokale”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se pret që në partneritet me aleatët të rregullohet edhe çështja e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës sa i përket ndalimit të dinarit.
“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Ata janë pro zbatimit të Kushtetutës, siç e kanë thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecë përpara me një zgjidhje të përbashkët dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Osmani.
Po vazhdon takimi Osmani - Escobar
E. Podvorica / RTK
(Plotësuar, 11:35) Në Presidencë po vazhdon edhe më tej takimi me dyer të mbyllura i presidentes Vjosa Osmani dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Escobar do të takojë krerët e opozitës, sonte, në orën 19:00, në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.
Po ashtu gjatë ditës Escobar do të takojë edhe Listën Serbe.
Ndërkaq, takimin me kryeministrin Kurti do ta zhvillojë nesër.
Escobar arrin në Presidencë, pritet nga Osmani
(Plotësuar, 10:00) I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka mbërritur në Presidencë dhe është pritur nga presidentja Vjosa Osmani.
Në takimin Osmani - Escobar i pranishëm është edhe ambasadori Jeffrey Hovenier.
Pas takimit do të ketë deklaratë për medie.
Ndërkohë, Escobar takimin me Kurtin e ka në agjendë për të enjten. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Escobar sot vjen në Kosovë, takohet me Osmanin
N.Mekolli /RTKlive
Në Kosovë sot do të vijë për vizitë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Prishtinë ai vjen me mesazhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe, siç ka thënë, për të ripërsëritur obligimet që ka Kosova karshi marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Bëhet e ditur se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta presë sot në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit të Presidencës, pas takimit do të ketë deklaratë për medie. Siç është paralajmëruar gjatë takimeve që Escobar do t’i zhvillojë në Kosovë temë do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb, për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë si dhe dialogu Kosovë- Serbi, transmeton RTKlive.
I dërguari amerikan përveç takimit me krerët shtetërorë, e ka ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, njoftojnë mediat.
Ai, të martën me një takim online me gazetarë, foli për partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës. Escobar tutje ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun dhe e ka cilësuar dialogun në një “moment kritik”.
“I inkurajoj të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura, sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, theksoi tutje Escobar. I dërguari amerikan, tha se “Kosova duke injoruar dialogun po injoron partnerët evropianë”.























