Synonte të shiste monedha false, arrestohet 37-vjeçari nga Podujeva
G.Kelmendi/RTKlive
Policia e Kosovës ka arritur që përmes masave të fshehta të hetimit ta arrestojë një 37-vjeçar që synonte të shiste monedha 2 euroshe të falsifikuara. Rasti ka ndodhur në fshatin Shakovicë të Podujevës.
Në një njoftim të lëshuar nga policia thuhet se i dyshuari gjatë realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, ka ofruar për shitje 5000 copë monedha nga 2 euro (5000×2=10000).
I dyshuari këto monedha synonte t’i shiste për 6 mijë euro.
Policia, gjatë kontrollit në veturën e tij, kanë gjetur dhe sekuestruar:
• 5000 x 2 € monedha, dyshohet të jenë të falsifikuara,
• 3 kartëmonedha nga 20 euro, dyshohet të jenë të falsifikuara,
• Vetura e përdorur nga i dyshuari dhe
• Një telefon celular.
“I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

























