Aneksi i Marrëveshjes që s’u zbatua kurrë/VIDEO
Edona Podvorica/RTK
Është bërë tashmë 1 vit nga arritja e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje mbeti vetëm teori ngase në praktikë nuk është realizuar, pasi Serbia vazhdoi t`i shkelë të gjitha zotimet që i ka dhënë. E sot, presidentja Vjosa Osmani i ka rinumëruar shkeljet e marrëveshjes që i ka bërë Serbia ndaj Kosovës.
U negociua rreth dymbëdhjetë orë, e në fund pati marrëveshje, por pa nënshkrim. Kjo është historia e Marrëveshjes së Ohrit e arritur sot një vit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ky dokument që u cilësua si arritja më e madhe e Kosovës në politikën e jashtme, me disa pika zotimi, që mendohej se qartësonte çdo gjë, për një vit nuk prodhoi asgjë.
Dokumentin që Bashkimi Evropian e quajti “Aneks të marrëveshjes”, u tha se do ta niste rrugën për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Destinacioni i kësaj rruge, u tha atëkohë nga ndërmjetësit evropianë, është pajtimi i plotë mes Kosovës dhe Serbisë, që përmbyllet me anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, nga obligime që përmendi shefi i BR-së, Josep Borrell, në terren dy shtetet nuk është se kanë zbatuar ujdinë e arritur.
Por, cilat nene u shkelën?
Neni 4 i kësaj Marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Por, nga shteti serb, Republika e Kosovës është sulmuar e vazhdon të sulmohet përmes retorikës propaganduese ndaj parandalimit të Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Shteti serb shkeli këtë marrëveshje edhe kur votoi kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës, për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja Parlamentare.
Pajtimi për miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, u bë më 2 maj, pak javë pas pajtimit për aneksin. Ky dokument specifikonte që të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.
Gjithçka mbeti “emergjencë” në letër. Me gjithë insistimin e Kosovës, Serbia kurrë nuk i hapi arkivat.
Për ta zbatuar Nenin 7, aneksi thoshte se Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
Ekipi menaxhues pasi prezantoi draftin e statutit të Asociacionit para palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, u shkarkua nga Qeveria. Kurti kishte propozuar një draft vizion. Pastaj në Tetor 5 emisarë perëndimorë sollën në Prishtinë draft-statusin e Asociacionit. Nga ajo kohë, nuk janë bërë hapa para për themelimin e këtij Asociacioni, që me shumë ngulm e kërkon faktori ndërkombëtar.
Edhe 7 pika të tjera të Aneksit nuk u përmbushën kurrë. E gjatë kësaj kohe, Serbia e dëshmoi dhjetëra herë se nuk është e gatshme që ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Agresioni i Serbisë në Banjskë të Zveçanit, e tronditi Kosovën më 24 Shtator.
Si pasojë e sulmit të armatosur të grupit terrorist serb mbi policinë, në krye me kriminelin, Millan Radojiçiq, u vra rreshteri Afrim Bunjaku, i cili bashkë me kolegët e tij kishin shkuar t'i largonin dy kamionët e vendosur në rrugë nga terroristët.
Institucionet e Kosovës, liderët e rajonit e eurodeputetët, vazhdimisht i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian për ta ndëshkuar Serbinë, për këtë akt agresioni. Por, kjo nuk ndodhi.
Ndërkohë Kosova mbeti nën masat e vëna nga Bashkimi Evropian të vëna në maj të vitit të kaluar, pas mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, zgjedhje të cilat u bojkotuan nga Lista Serbe, e ku u zgjodhën 4 kryetarë shqiptarë, të cilët në ditën kur filluan punën zyrtarisht, u pritën me protesta, të cilat u përshkallëzuan në dhunë, me përfshirjen e të shtënave dhe bombave më zhurmë. Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan.
Shteti serb nuk u ndal me kaq. Në qershor autoritetet serbe rrëmbyen tre zyrtarë policorë të Kosovës pranë vijës kufitare të Kosovës.
Dialogu ngeci, Aneksi i zbatimit, për të cilin pati ujdi pa nënshkrim në Ohër, u cilësua dëshpërues nga BE-ja, 365 ditë më vonë.
Presidentja Osmani kërkoi trajtim të barabartë nga Bashkimi Evropian dhe akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjes.
“Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që mos ta shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që mos të votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që mos të përdoret dhunë në relacionet ndërshtetërore dhe shumë parime të tjera, ndër të tjera edhe nenet e fundit të asaj marrëveshje që kërkojnë të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake dhe u siç e dini edhe nga vetë përmbledhja e BE-së, Serbia nuk i ka zbatuar as gjysmën e marrëveshjeve që janë nënshkruar në këtë 12-vjeçar të dialogut Kosovë-Serbi”.
Teksa Bashkimi Evropian ka akuzuar të dyja palët për mungesë gatishmërie për avancim raportesh, Osmani ka thënë se Brukseli nuk ka ende pan të zbatimit.























