Delegacioni i klubit Benfica qëndron në Leposaviq
Uran Krasniqi / RTKLive
Një delegacion i Benfica, klubit futbollistik të njohur portugez, ka parë mundësitë për trajnimin e të rinjve në Komunën e Leposaviqit.
Sipas njoftimit të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, delegacioni përbëhej nga Miguel Reis, Koordinator Global për Zgjerim dhe Davide Gomes, Teknik i lartë.
"Mirëpritëm në Leposaviq përfaqësuesit e klubit të njohur nga Benfica, për të parë mundësitë për bashkëpunim në trajnimin e të rinjëve premtues në futboll. Me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, Nënkryetaren Marina Bogojevic dhe Drejtorin për Sport, Nenad Radoslavjevic i takuam përfaqësuesit e klubit të Benfikës, Miguel Reis, Koordinator Global për Zgjerim dhe Davide Gomes, Teknik i lartë në klubin Benfica për të parë mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sportit në veçanti atë të futbollit dhe trajnimit e të rinjëve", ka shkruar Krasniqi. "Gjithashtu, vizituam edhe stadionin e qytetit tek i cili diskutuam për mundësitë për investim dhe mbështetje të akademisë së futbollit në të cilën janë pjesë të rinj nga të gjitha komunitetet".























