Pirdeni: Shqipëria, progres në ecurinë e reformave në fusha jetike
ATSH
Sot u mbajt dita e parë e Takimit të Nënkomitetit të 15-të të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni u shpreh në një reagim se përpara Komisionit Evropian u paraqit progresi i Shqipërisë mbi ecurinë e reformave në fusha jetike.
“Paraqitëm me sukses përpara Komisionit Evropian progresin më të fundit të Shqipërisë mbi ecurinë e reformave në fusha jetike për konsolidimin e shtetit të së drejtës”, theksoi Pirdeni.
“Gjatë ditës së parë të Takimit të Nënkomitetit të 15-të të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, u ndalëm tek ecuria e reformës në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i kuadrit legjislativ dhe strategjik për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe GRECO-s, si dhe masat e marra për të parandaluar korrupsionin në sektorë me risk të lartë”, nënvizoi ministrja.
Gjithashtu, shtoi Pirdeni, “diskutuam gjerësisht për punën që po bëhet për përafrimin e standardeve të Bashkimit Evropian në garantimin e të drejtave themelore të njeriut”.
“Mirëpritëm të gjitha vlerësimet e Komisionit për ecurinë e reformave në sektorët e lartpërmendur, të cilat do i shërbejnë avancimit të mëtejshëm të reformave kyçe në Shqipëri”, theksoi ajo.























