Arrestohet kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro
RTSH
Arrestohet kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Lajmi është publikuar fillimisht në platfomën X nga kryetari i grupit parlamentar të “Rithemelimit” të PD-së, Gazment Bardhi, i cili shkruan se “KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra”.
Bashkë me Goron në pranga kanë rënë edhe tre persona të tjerë. Arrestimi mësohet se ka ardhur pas një padie të bërë nga Fredi Beleri, i cili është në burg me akuzën për korrupsion në zgjedhje.
Goro mbeti në detyrë si kryebashkiak i Himarës edhe pse humbi në zgjedhjet e 14 majit ndaj Fredi Belerit, i cili u dënua së fundmi nga drejtësia "për shitblerje votash".
Padia e Belerit
Beleri kishte hartuar një dosje që, sipas tij, përbënte skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë Himarë. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.
“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall,” thuhet në padinë e Belerit.
Më tej, sipas tij, sqarohen edhe falsifikimet e dukshme për këtë prone dhe pavarësisht kësaj, kryebashkiaku socialist, Jorgo Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje.
“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi,” theksonte padia.
Qëllimi ka qenë që aty të ngrihej një resort turistik.
“Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme. Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj. Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaxhka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj,” thuhet në padi.























