25 vjet nga sulmet e NATO-s: Shpëtuan Kosovën dhe stabilizuan Ballkanin
BKT
Shqipëri

25 vjet nga sulmet e NATO-s: Shpëtuan Kosovën dhe stabilizuan Ballkanin

A.B / RTKlive

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka kujtuar 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb.

Kreu i Shtetit shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

Presidenti Begaj vlerësoi vendimmarrjen që i dha fund fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë, kontributin e mëtejshëm nga KFOR, si edhe vizionin e Aleancës për siguri, paqe dhe stabilitet në Ballkan.

"Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t'i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.  Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.

Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.

Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.

Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!", shkruan Begaj në Facebook.

NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin që po kryhej kundër popullit të Kosovës. Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.


MË SHUME NGA Shqipëri