Hoxha:Radoiçiq dhe grupi i tij terrorist po qëndron afër kufirit të Kosovës
BKT
Foto: Arkiv
Lajme

Hoxha:Radoiçiq dhe grupi i tij terrorist po qëndron afër kufirit të Kosovës

Edina Avdiu/RTK

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur për lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me shtetin e Kosovës, për të cilat tha se po lëvizin rreth kufirit. Hoxha pas raportimit në Komisionin Parlamentar për Siguri, tha se derisa Milan Radoiçiq dhe grupi i tij vazhdon të jetë i lirë, rreziku është ende aktiv.

“Ka pasur lëvizje të forcave serbe në kufirin e Republikës së Kosovës. Ne i kemi vërejtur, i kemi monitoruar dhe kemi kapacitete që t’i monitorojmë. Faktikisht ne bashkëpunojmë me KFOR-in dhe EULEX-in, kemi patrullime të përbashkëta. KFOR-i ka shtuar prezencën e vet me ushtarë atje, e edhe me teknikë. Duhet të shpresojmë që të mos kemi telashe serioze”, deklaroi ai.

Megjithatë Hoxha tha se derisa Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist vazhdon të jetë i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është akoma aktiv.

Ai theksoi se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion, edhe të ngritura në nivelin më të lartë të gatishmërisë, “me qëllim që çdo sulmi dhe çdo tentative për destabilizim të vendit t’i dalë ballë dhe ta kryejë detyrën me sukses".


MË SHUME NGA Lajme