Hasani pritet nga Papa Françesku: Vlerësohet harmonia fetare në Shqipëri
E. Hoti / RTKlive
Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u prit në Selinë e Shenjtë në një audiencë private nga Papa Françesku.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Hasani në një postim në Facebook.
“Një nder i jashtëzakonshëm të pritesha në një audiencë nga Shenjtëria e Tij - Papa Françesku, gjatë vizitës sime zyrtare në Vatikan”, ka shkruar Hasani .
Në takimin me Papa Françesku u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri si një model shumë i mirë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm.
“Vlerësimi i thellë i Shenjtërisë së Tij, për shembullin që Shqipëria i jep botës për solidaritetin njerëzor dhe vëllazërinë fetare, vazhdon të jetë një frymëzim dhe dritë udhërrëfyese për përpjekjen e vazhdueshme të vendit tonë, për të qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Hasani.
Këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, i cili zgjodhi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Evropë pikërisht për Dialogun Ndërfetar midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri dhe për të nderuar martirët e persekutimit të regjimit komunist.























