Thaçi: Komisioni për Rezerva Shtetërore nuk e ka filluar fare hetimin
V.Thaçi / RTKlive
Instituti Demokratik i Kosovës ditë më parë ka reaguar për mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore.
Për punën e këtij Komisioni, Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, tha në RTK se mandati i këtij komisioni zyrtarisht ka përfunduar më 21 mars dhe sipas tij në asnjë rrethanë nuk mund të mbajë mbledhje për të trajtuar çështje të ndryshme jashtë një kërkese për zgjatjen e mandatit.
Prandaj, tha Thaçi, çdo mbledhje e këtij Komisioni që mbahet pa iu vazhduar mandati nga Kuvendi, duke përfshirë edhe atë të fundit, janë të jashtëligjshme.
“Komisioni nuk ka filluar as një plan hetimi, i cili i paraprin realizimit të hetimeve dhe kjo kryesisht për shkakun se shumica e mbledhjeve janë dominuar prej temave shumë të ndryshme e veç jo për realizimin e një plani hetues për çështjen e rezervave për të cilën i ka ngarkuar Kuvendi i Kosovës. Ato mbledhje janë përdorur kryesisht për fjalime politike apo shprehje të tyre të bindjeve politike”, tha Thaçi.
Ai shtoi se mënyra e trajtimit që Komisioni i ka dhënë çështjes për të cilën është i thirrur, dhe fakti se qasja jo profesionale mund të ndikojë në trajtimin e lëndës tek organet e drejtësisë. Ai tha se tani më lënda është te organet e drejtësisë, prandaj nuk do duhet t'i vazhdohej mandati këtij komisioni.























