`Gërdeci`, miratohet dëmshpërblim për familjarët e viktimave e të lënduarit
BKT
Shqipëri

`Gërdeci`, miratohet dëmshpërblim për familjarët e viktimave e të lënduarit

ATSH

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi sot të dëmshpërblejë familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr. 63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr. 46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr. 12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024.

Në vendim thuhet se, vlerat e përcaktuara si detyrim të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

Vlerat e përcaktuara, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr. 63543/09, për secilën kërkesë.

Pagimi i shumave të depozituara, në favor të të gjithë kërkuesve nr. 63543/09 (Durdaj), nr. 46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr. 12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.

Gjykata e Strasburgut ka gjetur shkelje në procesin për tragjedinë e Gërdecit duke vendosur dëmshpërblim financiar për 17 persona, të plagosur dhe familjarë të viktimave.

Të dëmtuarit që e dërguan çështjen në Strasburg ishin Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj, Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefa.

Gjykata vendosi se shteti shqiptar duhet t’u paguajë kërkuesve: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, ku përfshihen 15 persona me një total prej 150 mijë euro; dhe bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.


MË SHUME NGA Shqipëri