Në Malin e Jezercës humb jetën alpinistja kroate
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në Tropojë, më konkretisht në Majën e Jezercës, pasi një alpiniste me origjinë kroate, ka rrëshqitur dhe ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën.
Policia e Shtetit në Shqipëri njofton se Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur "Maja e Jezercës", se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur "Maja e Jezercës".
Sipas policisë, turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën.
“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut. Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.”, përfundon njoftimi i policisë.























