Gjykata shtyn seancën për çregjistrimin e Bashës si kryetar i PD-së
BKT
Shqipëri

Gjykata shtyn seancën për çregjistrimin e Bashës si kryetar i PD-së

ATSH

Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së

Përfaqësuesi ligjor i Bardhit, Marash Logu, tha se Basha nuk është faktikisht kryetar i PD-së dhe ky është absurd ligjor dhe faktik.

“Sot Gjykata e Lartë është një gjykatë në vlerësim të ligjit. Seanca e sotme u shty për në 30 prill. Në kohën që u kërkua ky vendim nuk i është vënë në dispozicion gjykatës së Tiranës. Zbardhja e vendimit në Gjykatën e Lartë mori kohë. Presim një reflektim dhe një gjykim të drejtë. Lulzim Basha nuk është kryetar o PD dhe nuk mundet që drejtimi i PD, legjitimitet i forcës opozitare në vend, të varet nga një vërtetim që merret me 200 lekë. Është një çështje absurdi. Ndaj zoti Bardhi kërkoi që emri i Bashës të fshihej si kryetar i PD-së. Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD”, tha ai.

Ndërsa, sekretari për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Rezart Kthupi në një reagim pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, tha se gjykata mori dy vendime.

“Për të qartësuar mjegullën e mashtrimeve dhe dezinformimeve në lidhje me procesin e sotëm gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, kjo e fundit vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor me qëllim verifikimin e legjitimitetit (të drejtës për t’iu drejtuar Gjykatës) të të ashtuquajturit “mbledhje online e Këshillit Kombëtar” të përfaqësuar nga shtatë deputetë”, u shpreh ai.

Kthupi theksoi gjithashtu se Gjykata vendosi tërheqjen e vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 27 dhjetor, në kopje të njëjtë me origjinalin.

“Vetëm nëse pala kërkuese, e ashtuquajtura “mbledhje online e Këshillit Kombëtar”, ia del të provojë përpara gjykatës se ajo e gëzon të drejtën t’i drejtohet Gjykatës do të mund të fillojë procesi gjyqësor”, tha Kthupi.


MË SHUME NGA Shqipëri