Jashari dhe Hargreaves flasin për situatën e sigurisë në vend
F.Sertolli / RTKlive
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim Ambasadorin Britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë si dhe ndikimin e saj në aspektin global të sigurisë.
Në njoftimin për media thuhet se, Gjeneral Jashari po ashtu e ka njoftuar Ambasadorin Hargreaves për të arriturat e FSK-së në rrugën drejt zhvillimit të kapaciteteve për përmbushje të misionit.
Tutje, Gjeneral Jashari falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe rolin kyç që ka luajtur Mbretëria e Bashkuar në profesionalizmin e FSK-së.
Në njoftim po ashtu thuhet se ambasadori Hargreaves e ka falënderuar Jasharin për kontributin e FSK-së në stërvitjen e trupave ukrainase përmes operacionit Interflex në Britani të Madhe.
“Që të dy u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit të deritashëm dhe për gjetjen e formave të reja të bashkëpunimit në të ardhmen”, përfundon njoftimi.























