Çollaku: Gjendja e sigurisë në veri është e qëndrueshme
BKT
Lajme

Çollaku: Gjendja e sigurisë në veri është e qëndrueshme

E. Hoti / RTKlive

Njohësi i fushës së sigurisë Fatmir Çollaku ka thënë në “Info Plus” se gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës këta tre muajt e fundit është e qëndrueshme dhe se nuk ka ndonjë prishje serioze të rendit, apo ndonjë atak në sigurinë nacionale.

Duke folur për djegien e veturës së një hetuesi policor në veri, ai tha se këto raste janë të kalkuluara ose paraprakisht të supozuara që mund të ndodhin, por se deri më tani janë raste sporadike krejtësisht të izoluara.

“Këto janë raste të pashmangshme sidomos në zonat e trazuara siç është veriu i Kosovës, por nuk është diçka shumë serioze. Nuk është ndonjë problem i madh aq më tepër kur dihet se sidomos në atë pjesë të vendit në vazhdimësi ka pasur tendenca të strukturave të caktuara të prishin rendin dhe të përshkallëzojnë situatën në kuptimin e atakimit të sigurisë”, tha ai.

Çollaku tha se Policia e Kosovës deri tani ka bërë një punë të shkëlqyer në veri dhe në vazhdimësi janë duke qëndruar atje me orare të zgjatura sipas nevojës.

“Kjo vlerësohet nga vet Policia e Kosovës dhe faktorët tjerë që interferojnë në këtë vendimmarrje, por mund të them me përgjegjësi edhe nga kontakte të shumta që kam edhe me pjesëtarë të Policisë dhe qytetarë të ndryshëm atje, se gjendja e sigurisë është e qëndrueshme”, tha ai.

Sipas tij, strukturat kriminale dhe strukturat tjera janë më pak prezente në veri dhe së paku nuk duken se po veprojnë, kurse Serbia vazhdimisht është duke përgatitur dhe duke tentuar që të destabilizojë Kosovën.

Tutje ai tha se Policia e Kosovës është atje në formacion të nevojshëm dhe sipas nevojës mund të dislokohen forca tjera, megjithatë në përgjithësi gjendja është e qëndrueshme dhe policia kufitare kryen punën e vet dhe pjestarët e KFOR-it patrullojnë me vigjilencë të shtruar.

“Të gjithë e dimë se Serbia ka paralajmëruar shumë shpesh sulme. Së paku ka reflektuar se do të paraqes ndonjë sulm ndaj Kosovës duke dislokuar forcat e saj afër kufirit dhe duke bërë ushtrime. Krejt këto shihen si një luftë speciale dhe presion i vazhdueshëm ndaj Kosovës dhe një mbjellje edhe e panikes dhe pasigurisë, gjë që nuk ish dashur të jetë fare. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qetë sepse sistemi ynë i sigurisë funksionon mirë, është i konsoliduar dhe strukturat e KFOR-it konform mandatit do të kryejnë detyrat e veta”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme