‘RTK Green’, emisioni më i ri për mjedisin
G.Kelmendi & M.Miftari
Sonte në Radio Televizionin e Kosovës ka nisur emisioni “RTK Green” me autore Behare Bajraktari, i cili do të transmetohet çdo të enjte në ora 20:20. Në këtë emision do të trajtohen tema për mbrojtjen e mjedisit, sigurinë e qytetarëve, energjinë, transportin, shëndetin, arsimin, mbrojtjen sociale dhe qëndrueshmërinë ekonomike ndaj ndikimit në mjedis, ndryshimeve klimatike dhe rritjës së temperaturave.
Ndikimi ynë në çështjet mjedisore është i përditshëm që nga mënyra jonë e jetesës e deri te ekonomia, industria, edukimi, shetitjet në natyrë, ushqimi, veshja e deri te mbeturinat dhe riciklimi i tyre.
Ndotja e ajrit në Kosovë por edhe në Ballkanin Perëndimor është një nga më të lartat në Evropë.
Emisioni i parë iu kushtua “Agjendës së gjelbër” ku të ftuar në emision ishin profesori Zeqir Veselaj dhe Fiona Bakija nga Insituti INDEP, të cilët folën për për ambientin, ruajtjen e tij dhe për sfidat e Kosovës në këtë drejtim.
Duke folur për agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian, Veselaj tha se fushat prioritarë të kësaj agjende janë dekarbonizimi dhe çështjet e klimës, ekonomia cirkulare që lidhet me volumin e madh të mbeturinave, çështjet e ndotjes së ajrit, ujit dhe dheut, ruajtja e restaurimi i ekosistemeve.
“Secili shtet edhe që nuk është anëtar i BE-së mund ta shfrytëzojë të njejtën kornizë, të njejtën agjendë që të fillojë t’i trajtojë problemet e veta", tha Veselaj.
Ndërsa Fjona Bakija, ekologe nga Instituti INDEP, tha se në aspektin legjislativ Kosova qëndron mirë. Ajo përmendi strategjinë kombëtare të zhvillimit si dokument bazë i të gjitha strategjive të tjera, planin për veprimin ndaj klimës, strategjinë për ndryshimet klimatike dhe riformimin e këshillit për ndryshimet klimatike.
“Së fundmi që ka bërë bujë më të madhë është strategjia e energjisë. Them që ka bërë bujë sepse llogaritet që ne të largohemi nga qymyri i cili për një pjesë të madhe të popullatës është pasuri e Kosovës, por ne e shohim si ndotësin më të madh të Kosovës”, tha mes tjerash Bakija.
Njohësit e mjedisit thanë se zgjidhja institucionet e Kosovës duhet të jenë më serioze, në adresimin e këtyre çështjeve.























