Minatorët e Trepçës merren vesh me menaxhementin, i kthehen punës
Arlinda Sejda/RTK
(E përditësuar 14:40) Punëtorët e Trepçës, pas një takimi që kanë zhvilluar me menaxhmentin e kompanisë, janë marrë vesh që deri nesër t’i marrin 70 për qind të pagës. Pas këtij premtimi, punëtorët e ndërrimit të parë kanë nisur punën.
Kështu njoftoi për RTKlive, Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Trepçës.
S`ka rroga, ndërrimi i parë i punëtorëve të `Trepçës` nuk e fillon punën
Ndërrimi i parë i punëtorëve në Trepçë nuk kanë punuar sot për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota, njofton RTKlive.
Disa prej këtyre punëtorëve i kanë marr vetëm 30 për qind të pagës. Ndërsa minatorët, përfaqësues të Sindikatës për pak pritet të takohen me kryeshefin e Trepçës për të sqaruar këtë situatë, njoftoi për RTKlive, Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Trepçës.
Kujtojmë se për shkak të mosmarrjes së pagave, punëtorët e Trepçës edhe më parë kanë protestuar. Madje minatorët ishin ngujuar edhe në minierë në shenjë mospajtimi, duke kërkuar që çështja e pagave të zgjidhet.
E pas ngujimit në minierë, ishte arritur një marrëveshje për marrjen e pagesave të rregullta mujore, ndërsa sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.























