KQZ: 33 shkolla në veri refuzuan mbajtjen e votimeve në objektet e tyre
BKT
Lajme

KQZ: 33 shkolla në veri refuzuan mbajtjen e votimeve në objektet e tyre

V. Thaçi / RTKlive & E. Osmani / RTK

33 shkolla kanë refuzuar mbajtjen e votimit në objektet e tyre për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri më 21 prill, ndërsa 10 të tjera janë të qasshme, ka thënë kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Në mbledhjen e KQZ-së, Ahmeti ka thënë se pas dorëheqjes së anëtarëve serbë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve ka qenë e vështirë komunikimi me disa drejtorë të shkollave në veri dhe si rrjedhojë kanë pasur qasje kufizuese.

Ai tha se më 15 prill, është kërkuar një takim me kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave në veri, por ai ka dështuar.

“Drejtorët e shkollave kanë refuzuar t’i japin qasje KKZ-ve në shkolla me pretendimet se ato nuk do të lejohen të përdoren si qendra të votimit, e disa prej tyre edhe me pretendimet se tashmë janë organizuar aktivitete shkollore, kulturore etj”, ka thënë Ahmeti.

Tutje Ahmeti tha se pas konfirmimit të administratës komunale nëpër secilën komunë ka rezultuar se në komunën e Leposaviqit nga 18 qendra të votimit tri prej tyre janë të qasshme dhe 15 tjera drejtorët e shkollave kanë refuzuar t’i japin për përdorim për procesin e votimit. Në komunën e Zubin-Potokut, nga 12 qendra të miratuara dy janë të qasshme dhe 10 kanë refuzuar. Në Zveçan, prej gjashtë qendrave dy janë të qasshme dhe katër janë refuzuar, kurse në Mitrovicë të Veriut, prej shtatë qendrave tre janë të qasshme dhe katër kanë refuzuar.

Ahmeti tha se po punohet në mënyrë intensive për të gjetur lokacione alternative, të cilat do të shërbejnë si qendra të votimit më 21 prill.

E anëtari i KQZ-së i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se është detyrim i institucioneve të Kosovës që t’i hapin shkollat për votime.

“KQZ-ja në bashkëpunim me komunat e ka për obligim që ta njoftojë Prokurorinë dhe në bazë të detyrës zyrtare të ngre aktakuzë dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata persona që e pengojnë në çfarëdo mënyre procesin e votimit në Republikën e Kosovës. Nuk duhet të heshtim në raste të tilla. Kjo është lojë e rrezikshme. Ato janë objekte publike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se veprimi i serbëve është bojkot i procesit zgjedhor dhe duhet ndjekur penalisht.

Do theksuar se mbledhja e KQZ-së nisi me një minutë heshtje për dy gratë e vrara  ditët e fundit në vend. Ishte Alban Krasniqi anëtar i këtij komisioni nga Vetëvendosje që kërkoi që mbledhjen ta fillojnë me një minutë heshtje në nderim të grave të vrara ditët e fundit në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme