Bislimi: Kosova nuk do të tërhiqet kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia
V. Thaçi / RTKlive
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka njoftuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak për situatën që ka krijuar Serbia në pikat kufitare me bllokimin e qytetarëve të Kosovës.
"Lidhur me situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit", ka shkruar Bislimi në platformën X.
Ai ka thënë se autoritetet e Serbisë flasin për të drejtat e njeriut, por po pastrojnë etnikisht shqiptarët përmes mjeteve administrative në Luginën e Preshevës.
"Ata bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta”, ka shtuar Bislimi.
Ai tutje ka thënë se Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik, dhe se nuk do të tërhiqet kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila siç ka shtuar ai po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit.
“Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë as në KiE dhe BE’, ka shkruar Bislimi.























