Krasniqi pas arrestimit të Jankoviq: Serbia ankohet rrejshëm
BKT
Lajme

Krasniqi pas arrestimit të Jankoviq: Serbia ankohet rrejshëm

M.P. / RTKlive

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Serbia ankohet rrejshëm për të drejtat e komunitetit serb, ndërkohë që sot ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovë, Dejan Jankoviq.

“Ndërkohë që Serbia rrejshëm ankohet për të drejta të serbëve në Kosovë, ajo pikërisht arreston, maltreton e kërcënon secilin serb që shfrytëzon të drejtat e tij në Kosovë e integrohet në vendin e tij. Rasti i sotëm i ndalimit nga Serbia të zv.drejtorit Jankoviq dhe disa zyrtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb është prova më e qartë e pozicionit hipokrit të Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se Republika e Kosovës ka të drejta sipas tij, të avancuara, për komunitetet jo shumicë dhe me to e ka të përcaktuar që zëvendësdrejtori i Policisë të jetë nga komuniteti serb.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në konferencë për media kur u pyet se a është liruar zëvendësdrejtori, ajo tha se ende nuk kanë informacione të konfirmuara se a është liruar apo jo.

Zulfaj njofton për arrestimin e zëvendësdrejtorit të Policisë, Jankoviq

Këshilltari i Albin Kurtit, Jeton Zulfaj, ka njoftuar për arrestimin e zëvendësdrejtorit Dejan Jankoviq nga autoritet serbe në pikën kufitare ku janë bllokuar qindra qytetarë shqiptarë.

“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”, ka shkruar ai në X.

Zulfaj ka thënë se kjo përbën shkelje të marrëveshjeve.

“Kjo është një shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis BB6 dhe një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet”, ka shkruar këshilltari.


MË SHUME NGA Lajme