Prokuroria u bën apel viktimave të “Albkings” të paraqiten në Polici
BKT
Në Fokus

Prokuroria u bën apel viktimave të “Albkings” të paraqiten në Polici

Sh. Çoçaj/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.

Kurse një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë administratorit të grupit në “Telegram” - “Albkings”, nëpërmjet të cilit janë shpërndarë të dhëna personale të grave, si dhe fotografi dhe videoxhirime eksplicite të tyre.

Gjykata Themelore e ka ngarkuar administratorin me veprën penale: “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, për shpërndarjen pa autorizim të emrave, mbiemrave, adresave dhe të numrave të telefonave të përkatëseve të gjinisë femërore me qëllime të prostitucionit.

“Gjykata vlerësoi se duhet të caktohet paraburgimi, duke marrë parasysh faktin se i pandehuri, E.N. është shtetas i huaj, shtetas i Republikës së Serbisë, dhe nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës dhe lehtësisht mund të largohet nga Kosova me qëllim që t’i shmanget procedurës që zhvillohet kundër tij, duke pasur parasysh dëmin që u është shkaktuar të dëmtuarve”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës.

Sipas aktvendimit, i pandehuri E.N dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre.

Pas ndalimit të të dyshuarit, Prokuroria Themelore u ka bërë thirrje viktimave të këtij grupi që me qëllim të bashkëpunimit të paraqiten në Polici.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e ‘Albkings’, përmes të cilit grup janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas komunikatës, Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti.


MË SHUME NGA Në Fokus