Interesim minimal i qytetarëve për të votuar në katër komuna në veri
BKT
Lajme

Interesim minimal i qytetarëve për të votuar në katër komuna në veri

A.S, E.O, E.P & E.A/RTK

(E plotësuar, ora, 9:20) Për më shumë se dy orë që nga hapja e qendrave të votimit në komunat veriore për shkarkimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, interesimi i qytetarëve për të votuar është minimal.

Deri tash është raportuar se në Mitrovicë të Veriut në Qendrën e votimit me numër 3802, kanë votuar 3 qytetarë me të drejtë vote. Kurse në Leposaviq kanë votuar shtatë persona, të cilët kanë votuar me kusht

Edhe në Zubin-Potok deri tash kanë votuar dy persona.

Megjithëse të gjitha vendvotimet në Zveçan ishin hapur me kohë, nuk ka pasur interesim të qytetarëve për të votuar. 

DnV: Interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e votimit

Edhe “Demokracia në Veprim” përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Vëzhguesit tanë kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë. Sipas vëzhguesve, të gjitha qendrat e votimit që janë vizituar deri tani, janë hapur me kohë dhe komisonerët kanë qenë të pranishëm. Policia e Kosovës është prezente dhe po garanton sigurinë e procesit”, njofton kjo organizatë.

Sipas njoftimit, procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit.

“Sa i përket administrimit të procesit, KQZ është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit. Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit  është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyer”, thuhet në njoftim.

Procesi i votimit brenda disa Qendrave të Votimit është aranzhuar për disa vendvotime në një hapësirë të përbashkët sipas modelit të hapur.

“Poashtu është vërejtur se në të gjitha vendvotimet ka të vendosura kamera të sigurisë, ndërkohë që kabinat e votimit janë të vendosura në pozicionin që mund t’a cenojnë fshehtësinë  e votës dhe mund të shihen si intimidim nga votuesit. instruksionet për vendosjen  kabinave të votimit në këtë mënyrë janë përfshirë në udhëzuesit që KQZ ka përgatitur. Kjo është hera e parë që qytetarët do të votojnë nën survejimin e kamerave”, thuhet në njoftim.

Prokuroria mbikëqyrë procesin e votimit në veri

(E plotësuar, ora 8:50) Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me  keqpërdorimet lidhur me këtë proces.

Nis votimi në katër komunat veriore për ose kundër shkarkimit të kryetarëve

Qendrat e votimit janë hapur në katër komunat në veri, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Edhe nga KQZ ka konfirmuar se materialet janë shpërndarë me kohë, e po ashtu edhe organizatat që monitorojnë votimet veçse kanë arritur.

Në Mitrovicë të Veriut janë hapur 5 qendra të votimit. Gjithçka është gati që nga ora 7 e mëngjesit. Në Qendrën e votimit me numër 3802, kanë votuar 3 qytetarë me të drejtë vote. Dy nga qytetarët janë të nacionalitetit shqiptarë dhe një boshnjak. Ata kanë kërkuar që të mos zbulohet identiteti i tyre.Gjithsej janë 18 mijë e 796 qytetarë me të drejtë vote në këtë komunë.

Policia e Kosovës dhe EULEX janë duke e monitoruar situatën gjatë procesit të votimit në veri.

Janë hapur qendrat e votimit edhe në Leposaviq. Në dy qendra të votimit dhe një me kusht në objektin e komunës se Leposaviqit deri tash kane votuar 7 qytetarë, 5 nga ta janë komisionerë. Të gjitha janë vota me kusht.

Në Zveçan është hapur qendra kryesore e votimit, në objektin e kësaj komune.

Edhe qendra e votimit në fshatin Lipë të Zveçanit është hapur për votim. Në shkollën "Isa Boletini" që po shfrytëzohet si qendër votimi, nuk ka votuar ende asnjë qytetar. Procesi po monitorohet me kamera. Kjo është qendra më e afërt me zyrën në të cilën e ushtron detyrën kryetari i kësaj komune, Ilir Peci.

Ende nuk ka interesim të qytetarëve për të votuar pro pse kundër shkarkimit të kryetarit, Ilir Peci Në këtë komunë janë gjithsej 5 qendra të votimit, ndërsa të drejtë vote kanë 7 mijë e 209.

Brenda qendrave të votimit kanë vendosur kamera, ndërsa Policia e Kosovës po kujdeset për siguri gjatë këtij procesi.

Edhe në fshatin Zhazhë të Zveçanit është hapur me kohë qendra e votimit. As në këtë qendër nuk ka dalë ende asnjë qytetar për te shfrytëzuar të drejtën e votës. Procesi po përcillet nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund është parë duke monitoruar prej afër procesin e votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarit të komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Në këtë komunë qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër.

Ndryshe në komunën e Zubin Potokut në të gjitha qendrat e votimit që nga ora 7 e mëngjesit gjitha është gati për procesin e sotëm.

Në qendrën e votimit në Bënjak, në kontejner, është hapur qendra e votimit në kohë. Në këtë qendër të drejtë vote kanë 950 persona.

Kamerat janë të vendosura në vendvotime, por ankesa ka për mungesë të ngrohjes në vendvotimet në kontejner për shkak se nuk ka energji elektrike në këto hapësira. As në qendrën e votimit në Bënjak, deri më tani nuk ka votuar asnjë votues.

Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Në katër komuna në veri ka arritur materali zgjedhor

Qytetarët e katër komunave në veri sot do t’u drejtohen kutive të votimit për të shkarkuar ose jo katër kryetarët e komunave. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

Në qendrën e votimit me numër 3805 në Mitrovicë të Veriut, sipas menaxherit të kësaj qendre, Hashim Bekteshi gjithçka është gati për të nis votimi. Materiali ka arritur me kohë.
 
Bekteshi tha se në orën 11 do të dalin me një njoftim për numrin e qytetarëve të cilët do të ushtrojnë të  drejtën për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Në Zubin Potok në qendrën e votimit në objektin e komunës është gjithçka gati për të nisur procesin e votimit.

Ka arritur materiali zgjedhor në pikën e votimit në komunën e Leposaviqit. Bashkë me materialin zgjedhor kanë ardhur edhe kamerat e sigurisë. Në Leposaviqit do të jenë të hapura 9 qendra votimi.


MË SHUME NGA Lajme