Dalje e ulët, 85 vota deri në orën 11:00, asnjë në Zveçan
Arbresha Berisha/ RTK
Shumë pak qytetarë kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore. Deri në orën 11:00 dalja është e ultë, dhe për këtë Radoniqi ka bërë thirrje për qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se deri në orën 11:00, në Leposaviq kanë votuar 46 persona, shtatë në Zubin-Potok, asnjë në Zveçan dhe 32 në Mitrovicë të Veriut.
Radoniqi në konferëncën për media ka thënë se këto janë të dhënat që kanë pranuar nga Komisionet Komunave të Zgjedhjeve në këto komuna.
“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim: Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues”, ka thënë ai.
Radoniqi ka bërë thirrje për qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Për t'i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.























