Studentët bllokojnë sallën koncertale në UP, kërkojnë largimin e Krasniqit
Qendresa Duraku | RTK
Dyert e sallës koncertale të Universitetit të Prishtinës janë bllokuar nga brenda nga studentët, të cilët kësisoj kanë pamundësuar daljen nga kjo sallë të Këshillit të Etikës si dhe profesorit të akuzuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi.
“Ngacmuesit seksual jashtë UP-së”, “Xhevat Krasniqi jashtë UP-së”, janë thirrjet e studentëve.
Pjesëtarë të policisë ishin të pranishëm dhe më pas dolën nga salla.
Me gjithë kërkesën për përjashtim apo suspendim të profesorit Krasniqi nga lëvizja feministe studentore, asnjeri nga anëtarët e Këshillit të Etikës nuk po deklarohet lidhur me këto kërkesa.
Kjo protestë erdhi pas seancës së pestë dhe intervistimit të dytë me radhë të Xhevat Krasniqit nga Këshilli i Etikës, për denoncimit të 27 studentëve për ngacmime seksuale.
Krasniqi gjate intervistimit tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë të pavërteta.























