Objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Rama del me reagim ndaj Pecit
BKT
Lajme

Objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Rama del me reagim ndaj Pecit

M.P. / RTKlive

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci, në lidhje me lejen e kushteve ndërtimore për ndërtimin e objektit të ministrisë.

Në komunikatën e dërguar për media të Komunës së Prishtinës, ky institucion hedh poshtë pohimet e ministrit Peci.

"Përmes këtij reagimi, institucionet e kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e kryeqytetit për t'u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë. Më tutje, sqarojmë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore”, thuhet në komunikatën e kryetarit të kryeqytetit.

“Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t'u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.

Sot ministri Faton Peci nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bllokuar procedurat për ndërtimin e objektit të ministrisë që e drejton.

“Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit”, ka shkruar ai.

Tutje Peci ka thënë se bllokimi i ndërtimit të Objektit të MBPZHR-së, mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë në vitin e parë nga akreditimi në IPARD. Ministri ka thënë se sipas tij, arsyetimet e Komunës për bllokimin e ndërtimit kanë qenë të ndërlidhura me punëtorët dhe gjendjen shëndetësore të tyre.


MË SHUME NGA Lajme