PE voton për liberalizimin e vizave për qytetarët që mbajnë pasaporta serbe
BKT
Lajme

PE voton për liberalizimin e vizave për qytetarët që mbajnë pasaporta serbe

Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel

Parlamenti Evropian ka votuar të martën në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaporta serbe. Në votimin që u zhvilluar në seancë plenare, pro votuan 406 deputetë, 97 ishin kundër ndërsa 95 kanë abstenuar.

Me këtë votim kanë përfunduar procedurat në këtë institucion.

Mirëpo për zbatimin e vendimit nevojitet konfirmimi nga ana e Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian të cilët duhet të votojnë me shumicë të kualifikuar. Akoma nuk dihet data kur ministrat do e vënë në agjendë votimin për këtë çështje.

Raportuesi për vizat, eurodeputeti Matjazh Nemec pas votimit u shpreh se me këtë vendim po përmirësohet diskriminimi i krijuar nga ana e politikanëve.

“Ky votim është i rëndësishëm. Dhe kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje teknike. Kjo është vazhdimësi e liberalizimit të vizave që është miratuar për Serbinë në vitin 2009, për Kosovën që nga fillimi i këtij viti. Dhe ky vendim ka të bëjë me përmirësimin e jetës së njerëzve. Në fakt është vendim për rreth 18,000 banorë serbë të Kosovës, që mbajnë pasaporta speciale. Dhe që nga fillimi i këtij viti, ata mbeten kategoria e vetme e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë liberalizimin e vizave për Bashkimin Evropian”, tha ai.

Pas votimit në Parlamentin Evropian e më pas në Këshill të BE-së, vendimi publikohet në gazetë zyrtare së bashku me datën kur nisë zbatimi I lëvizjes së lirë për këta qytetar.

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, qytetarët e vendit që posedojnë vetëm pasaporta të Serbisë mbetën të vetmit në rajon që nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes meqë heqja e vizave në janar ishte valide vetëm për pasaporta të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, këta qytetarë të vendit ishin përjashtuar nga vendimi i liberalizimit të vizave për Serbinë në dhjetor të vitit 2009.

Në mënyrë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të gëzojnë lirinë e lëvizjes, Komisioni Evropian, në nëntor të viti të kaluar propozoi heqjen e vizave edhe për këtë kategori të qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme