Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, sot do të ishin në balotazh
G.Kelmendi|RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh.
“Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh. Do të ishte rezultat historik.
Por shqiptarët u ndanë.
Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë - të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë politikë unifikuese e përafruese mbarëshqiptare.
“Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje - nuk di tjetër.
Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.























