Rama: Marrim masa për përmirësimin e mjedisit mediatik
BKT
Foto ilustruese / RTKlive arkiv
Shqipëri

Rama: Marrim masa për përmirësimin e mjedisit mediatik

V.Th. RTKlive

Pas alarmit të ngritur nga Reporterët pa Kufij mbi përkeqësimin e lirisë së shtypit në Shqipëri, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama ka bërë me dije se raporti do të analizohet me kujdes dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme për përmirësimin e mjedisit mediatik, mbrojtjes së lirisë së informacionit, luftës ndaj dezinformimit dhe forcimit të të drejtave të gazetarëve.

Rama ka shprëhur shqetësimin nga gjetjet kryesore të raportit se liria e medies është nën kërcënim globalisht.

“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve”, ka shkruar Rama në platformen "X".

Më tej, Rama garantoi se qeveria do marrë përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medies është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, ka theksuar Rama.

Organizata “Reporterët pa kufij” në raportin e përvitshëm bëri me dije se Shqipëria ka shënuar përkeqësim në lirinë e shtypit duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit mes vendeve të rajonit në Ballkanin Perëndimor që është kandidate për në BE.

 


MË SHUME NGA Shqipëri