Tentimet për frikësim dhe sulmet mbesin sfida për gazetarët
Edina Avdiu | RTK
Të bërët gazetari në Kosovë nuk është hiç e lehtë. Tentimet për frikësim, e sulmet kundër fjalës së lirë mbesin sfida me të cilat përballen gazetarët vazhdimisht në angazhimin e tyre për informimin e saktë të publikut.
Me të tilla sfida u përballën në veri të vendit, dy gazetare të Televizionit Publik vitin e kaluar. Profesor të gazetarisë propozojnë edukim medial për qytetarët e Kosovës.
Momentin kur mikrofoni iu kap nga dora gjatë transmetimit direkt, gazetarja Edonë Podvorica e kujton si një nga momentet më sfiduese në punën e saj si gazetare.
“...ka qenë ndoshta rasti kur e kemi dëshmu që gazetarët duhet të jenë të vendosur dhe mos me u dorëzu para asnjë provokimi pavarësisht frikës që mund ta ndjesh brenda vetes”, shprehet Edona Podvorica – gazetare.
Një situatë edhe më e tensionuar ishte krijuar vetëm një muaj më pas, kur xhiruesi i RTK-së u sulmua brutalisht nga grupe kriminale serbe në veri të vendit. Gazetarja Venera Xhoxhaj, e cila filmoi të gjithë sulmin, e kujton si një nga momentet më të vështira në karrierë.
“Më 16 qershor e dini se ka qenë sulmi më brutal ndaj mediave edhe ndaj ekipit të RTK-së. Megjithatë gazetarët kanë vazhduar punën e tyre, mendoj është përmbushur misioni si gazetarë”, Venera Xhoxhaj – gazetare.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, për anëtarët e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ambienti i të bërit gazetari në Kosovë mbetet shqetësues.
“AGK ju bën thirrje institucioneve që të heqin dorë nga pengimi I punës së gazetarëve, nga fushatat denigruese, linquese që të heqin dorë nga kjo ushtria digjitale që vazhdon ti sulmojë gazetarët sepse duke qenë prapa këtyre sulmeve eksponentë të pushtetit, paramendo sat ë rrezikshëm mund të jenë për gazetarët njerëzit tjerë që ju binden këtyre fushatave”, thotë Naim Sadiku – anëtar i Bordit të AGK-së.
Rol bosht në lirinë e medieve, sipas profesorit universitar Faton Ismajli, ka edhe edukimi medial.
“Unë mendoj që qytetarët e Kosovës, ata që po bëhen pjesë e fushatave linquese kanë nevojë edhe për një edukim medial. Kanë nevojë që të dinë qysh funksionon media, cka është puna e gazetarit, jo të bëhen të gjithë gazetarë”, thotë Faton Ismajli – profesor universitar.
Sipas Ismajlit, sa ma të lira të jenë mediet, shoqëria është më demokratike dhe vendimmarrësit mbahen më shumë përgjegjës për veprimet a për mosveprimet e tyre.























