Xhevahire Izmaku aderon në Nismën Social Demokrate
Qendresa Duraku / RTK
Ish deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku është anëtarja më re e cila iu bashku Nismës Social Demokrate.
Kryetari i Nismës Fatmir Limaj, në një konferencë për medie duke prezantuar aderimin e saj në këtë parti, tha se këtij subjekti iu bashku një grua, profesoreshë e Universitetit, poete, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, një aktiviste e hershme që nga fillimet e saj, me ç’rast aderimin e saj, Limaj, e cilësoj lajm të mirë për Kosovën.
"Sot e prezantojmë profesoreshën e nderuar doktoreshë e komunikimit Xhevahire Izmakun, një shoqe e një mike e hershme e imja dhe e shumë shokëve këtu. Me Xhevahirën jemi nisur bashkë në politik që nga vitit 1999, kemi rrugëtuar në kushte të vështira, një Kosovë e rrënuar, e djegur e shkatërruar nga lufta, me shumë gra e vajza e djem si Xhevahirja kemi filluar rindërtimin e vendit tonë, shërimin e traumave të luftës e rindërtimin ekonomik të vendit tonë. Unë kam pas fatin të punoj shumë me këtë zonjë të nderuar sidomos në parlament e në Qeveri e në parti e në aktivitetet tona të përbashkëta, fal saj në një kohë kur ne patëm nisur rindërtimin e fuqizimin e Kosovës në misionin tonë për ta nxjerr Kosovën nga balta, profesoresha e nderuar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si detyrë që e ka pas në zonën e Vushtrrisë e Mitrovicës të asaj kohe gjatë viteve 2008- 2010", ka thënë Limaj.
Xhevahire Izmaku pas aderimit në këtë parti, tha se po e rifillon aktivitetin e saj politik aty ku e ka lënë dhe e ka filluar para 25 vitesh.
"Ne ishim bashkë në nismat e para politike në një organizim politik që kishte të bënte me një koncept politik që lidh një ADN të përbashkët me të cilën sot po e vazhdoj aktivitetin politik. Do ta përdorë energjinë time, energjinë e akumuluar dhe potencialin që kam profesional dhe politik, për të ngritur dhe fuqizuar Nismën Social Demokrate dhe realisht do të bëjë përpjekje që të jem një ekuivalent grua në lidershipin e Nismës", ka thënë Izmaku.
Xhevahire Izmaku kohë më parë pati dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e PDK-së, pas rreth dy dekadash sa ishte pjesë e saj.























