Spanca: Dy module në Ministrinë e Arsimit filluan pa ndonjë planifikim
BKT
Lajme

Spanca: Dy module në Ministrinë e Arsimit filluan pa ndonjë planifikim

Adea Mustafaj / RTKlive

Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca e ftuar në ‘Info Plus’ të RTK-së ka thënë se kjo zyrë  ka planifikuar rreth 123 auditime të llojeve të ndryshme si ato të aspektit: financiar, pajtueshmëri, auditime të përformancës dhe të teknologjisë së informacionit, e ku sipas saj në përputhje me planin, veçse kanë filluar publikimin e këtyre raporteve.

Ajo tha se gjatë auditimit të bërë në Ministrinë e Arsimit është vërejtur se një modul që ka të bëjë me mësimin elektronik dhe moduli tjetër që ka të bëjë me digjitalizimin e provimit të maturës, kanë filluar pa një planifikim paraprak, pa e bërë një analizë të nevojave apo nëse Ministria e Arsimit është e gatshme të zhvillojë atë.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dërguar planin vjetor të auditimit në përputhje me ligjin e auditimit  të përgjithshëm në tetor të vitit të kaluar dhe tashmë janë publikuar shtatë raporte të auditimit. Javën e kaluar kemi publikuar dy raporte të auditimit të teknologjisë së informacionit, njërin në Ministrin e Arsimit, Shkencave Teknologjisë dhe Inovacionit dhe tjetrin në Ministrin e Shëndetësisë”, tha Spanca në RTK.

Ajo ka thënë se tek Ministria e Arsimit, për projektin që ka të bëjë me modernizimin e sistemit të edukimit në Kosovë, kanë vërejtur se ka qenë një projekt i paraparë për modernizimin parauniversitar dhe në atë sistem është paraparë që të zhvillohen dy module.

“Një modul që ka të bëjë me mësimin elektronik dhe moduli tjetër që ka të bëjë me digjitalizimin e provimit të maturës. Për ta zhvilluar këtë projekt, Kuvendi i Kosovës në vitin 2014, ka ratifikuar marrëveshjen për kredi të butë përmes Bankës Austriake, me vlerë 5.9 milionë euro dhe për ta zhvilluar këtë projekt, ministria ka kontraktuar operatorin ekonomik i cili ka marrë kontratë në vlerë 4.9 milionë euro”, tha Spanca.

Ajo tha se ky projekt  ka filluar pa një planifikim paraprak, pa e bërë një analizë të nevojave apo nëse Ministria e Arsimit është e gatshme të zhvillojë, aprovojë dhe të menaxhojë një sistem të tillë.

“Nuk ka pasur koordinatorë apo menaxher të projektit për sistemin në fjalë. Ka mungesë të dëshmive dhe gjatë auditimeve nuk janë ofruar disa nga dokumentet kyçe. Sistemi si i tillë është i vendosur në Qendrën e të Dhënave Shtetërore, në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por që auditorët në vëzhgimin fizik kanë vërejtur se ai sistem ose ajo pajisje sinjalizon me drita se dy disqe janë dëmtuar apo nuk janë funksionale”, tha Spanca.

Tutje ajo tha se edhe mirëmbajtja që është paraparë të bëhet nga Operatori Ekonomik për dy vite pasuese, nuk ka dëshmi se është kryer.


MË SHUME NGA Lajme