Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, koalicionet shqiptare deklarojnë fitoren
M.Miftari & Emine Hoti /RTKlive
Ende pa dalë rezultati preliminar i votimit të votave, ku për rrjedhojë ende nuk dihet fituesi në mes të koalicioneve të partive shqiptare, krerët e koalicioneve të partive shqiptare atje deklarojnë fitoren e tyre.
Derisa kreu i BDI-së deklaron se Fronti Evropian është fitues në këto zgjedhje, ku përmend dallimin mes Frontit Evropian dhe VLEN në mbi 30 mijë vota, përfaqësuesi i VLEN, Arben Taravari deklaron se VLEN është fituese e zgjedhjeve.
Ali Ahmeti: Jemi forca e dytë në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në një konferencë për media ka thënë se Fronti Evropian është fitues i zgjedhjeve. Ahmeti tha se koalicioni i tyre do t’i ketë rreth 19 deputetë, derisa shtoi se kanë rreth 30 mijë vota më shumë se VLEN-i.
Ahmeti tha se Fronti Evropian është forca e dytë në Maqedoninë e Veriut.
“Jemi forca e dytë politike, Fronti Evropian në shtet”, tha Ahmeti.
“Me një dallim me oponentin, oponent kryesor kemi pasur VMRO-DPMNE-në, sepse VMRO-ja e ka ndihmuar shumë VLEN-in, por dallimi është mbi 30 mijë vota”, shtoi ai.
Ahmeti ta se ky është një provim i shtetit dhe institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike standardi i të cilave duhet të përmirësohet, sepse tani janë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Do të thotë që qytetarët shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe romët, të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit Evropian janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në BE. Si alternativë e vetme jo vetëm për qytetarët e votuesit e Frontit, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ne si Front nga ky cikël dalim me 19 mandate, sipas përllogaritjeve që i kanë bërë ekipet, ka mundësi që të lëvizet dhe nga mandati i 20-të, por deri tani të betonuar janë 19 mandate”, tha ai.
Ahmeti ka falënderuar të gjithë votuesit e Frontit Evropian.
Taravari: VLEN garancë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut
Taravari, kandidati për president nga koalicioni VLEN në “Lajmet e fundit”, në RTK foli për procesin zgjedhor më Maqedoninë e Veriut, ku përmendi mundësinë e futjes në qeverisjen që do të dalë pas këtyre zgjedhjeve.
“Koalicioni VLEN, pas disa negociatash të zhvilluara me VMRO-DPMNE-në, do të jetë së bashku me VMRO-DPMNE-në në qeverisje. VLEN-i do të jetë garancë për tri gjëra në qeverinë e ardhshme: Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut, sepse Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat me BE-në; lufta e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; decentralizmi i pushtetit dhe depolitizomi i institucioneve”, tha Taravari.























