Sveçla përgëzon policin e plagosur për reagim profesional
F.Sertolli / RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se gjatë reagimit në një tentim vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në mëngjesin e sotëm, gjatë shkëmbimit të zjarrit me personat e dyshimtë është plagosur pjesëtari i Policisë së Kosovës Januz Veselaj.
Me këtë rast, ministri Sveçla përmes një reagimi në Facebook i ka përgëzuar zyrtarët policor për përgjigjen e shpejtë në rast, pas marrjes së informatës dhe për reagimin profesional.
Po ashtu ai ka përgëzuar edhe zyrtarin Januz Veselaj për reagimin profesional përkundër rrezikimit të jetës së tij.
“Nga Drejtori i Policisë jam njoftuar se zyrtari Veselaj pas tretmanit të nevojshëm në QKUK është liruar për në shtëpi. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë”, ka thënë Sveçla.
Ministri Sveçla ka kërkuar nga njësitet përkatëse zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.
“Kushdo që në çfarëdo forme tenton të cenojë jetën apo pronën e qytetarëve tanë dhe shtetit tonë do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, ka thënë Sveçla.























