Gonzato: Arritjet e Reformës në Drejtësi duhet të jenë të pakthyeshme
ATSH
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot se arritjet e Reformës në Drejtësi dhe arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme.
Ambasadori Gonzato mori pjesë sot në mbledhjen e përbashkët vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rastin e 111-vjetorit të Ditës së Drejtësisë, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe projekti “EU4Justice”.
Ambasadori Gonzato vlerësoi arritjet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, ndërsa theksoi se “nuk mund të lejojmë që të kemi hapa pas”.
“Arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme. Çfarëdolloj përpjekjeje për të shmangur këto rezultate do të vijnë në kurriz të pritshmërisë që kanë qytetarët”, tha ambasadori Gonzato.
Në fjalën e tij, ambasadori Gonzato vlerësoi po ashtu se shënohet një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugëtimin e Shqipërisë për të konsoliduar sundimin e ligjit.
“Gjyqësori ka arsye të jetë krenar sot më shumë se kurrë. Reforma në Drejtësi duhet të fuqizohet, të konsolidohet dhe të ecë para për të arritur rezultate. Këto rezultate duhet t’u shërbejnë qytetarëve”, tha ai.
Duke sjellë në vëmendje kremtimet në kuadër të Javës së Europës, Gonzato u shpreh se në fokus të tyre është promovimi i vlerave thelbësore të BE-së.
“Sistemi i drejtësisë luan rol kyç në konsolidimin e këtyre vlerave. kjo gjë arrihet me anën e pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në gjithë këto fusha dhe ne nuk mund të lejojmë të ketë hapa pas”, theksoi ai.
Sipas ambasadorit, nevojitet fuqizimi i pavarësisë, efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe burimet e duhura financiare dhe njerëzore.
“Shumë është arritur me Reformën në Drejtësi, por edhe më shumë duhet të arrihet. BE qëndron krah për krah me sistemin e ri të drejtësisë dhe me Reformën në Drejtësi dhe jemi të angazhuar të asistojmë punën e këshillave dhe institucioneve të tjera të drejtësisë”, tha ai.























