Nagavci kërkon bashkëpunimin  e komunave për ndërtimin e çerdheve të reja
BKT
Foto| RTK
Lajme

Nagavci kërkon bashkëpunimin  e komunave për ndërtimin e çerdheve të reja

E.Hoti| RTK

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se kanë siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore, si dhe kanë bërë të gjitha analizat, buxhetet dhe projektet e gatshme për komunat, të cilat duhet t`i gjejnë lokacionet që i plotësojnë nevojat.

Nagavci në një konferencë për media njoftoi se u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës që t’i përgjigjen ftesës për bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja.

 “Sot kam nisur një letër tek të gjithë kryetarët e komunave për te kërkuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në ndërtimin e çerdheve. Përmes kësaj letre kam kërkuar që të angazhohen personalisht që të pranojmë kërkesat e kompletuara, në mënyrë qe të vazhdojmë me procedurat tjera për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve për të mundësuar kështu edukimin në fëmijërinë e hershme”, tha Nagavci në një konferencë për media.

Ajo tha se Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka bërë një analizë në nivel vendi, ku për planifikimet janë njoftuar në vazhdimësi në takimet e rregullta që ka pasur me zyrtarët komunal.

“Ne gjatë vitit të kaluar kemi hartuar 4 projekte modulare të cilat i kemi vënë në dispozicion të komunave për t’i përshtatur me lokacione. Projektet modulare i kemi finalizuar si projekte, me siguri, kohë të shkurtër dhe ndarjen e buxhetit të nevojshëm. Kemi siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore. I kemi të gjitha analizat, i kemi buxhetet dhe projektet janë të gatshme dhe komunat të gjejnë lokacionet që i plotësojnë nevojat”, shtoi ajo.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tregoi edhe për shumat që janë ndarë për ndërtimin e çerdheve nëpër komuna.

“Në këtë kontekst kemi buxhet të garantuar, projekte të gatshme,vetëm kërkojmë që komunat t’i përgjigjen gatishmërisë sonë.“Nga janari kemi pesë kërkesa nga komunat për ndërtimin e çerdheve. 799 mijë euro për ndërtimin e çerdhes në Prizren. 742 mije euro për Suharekë, 81 mijë euro në Gjilan. Në Babush të Ferizajt 98 mijë dhe 85 mijë euro në Junik”, tha Kelmendi.


MË SHUME NGA Lajme