RTK3 me interpretim të lajmeve qëndrore edhe në gjuhën e shenjave|VIDEO
Valjeta Shala/RTK
Personat e shurdhër po gëzojnë qasje edhe më të mirë e më të lehtë të informimit nga Radio Televizioni i Kosovës. Kjo pasi RTK përmes kanalit të tretë të lajmeve, përveç edicioneve të tjera, ofron interpretim në gjuhën e shenjave edhe në lajmet qendrore për këtë komunitet. RTK në sondazhin e fundit të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, ditë më parë është renditur mediumi më i besuar në vend.
Ramadan Gashi është shikues i rregullt i Radio Televizionit të Kosovës. Ora 19:30 shenon kohën kur atë e gjen të ulur pranë ekraneve të RTK-së duke përcjell edicionin qendor të Lajmeve. Përmes kanalit RTK3, ai informohet përmes gjuhës së shenjave që ua mundëson Televizioni Publik.
Ani pse ka probleme me dëgjim, interpretimi në gjuhen e shenjave edhe në edicionin qendror të lajmeve në RTK3, thotë se po ua bënë akoma më të lehtë qasjen në informim.
“Gjuha e shenjave për ne është shumë e rëndësishme, pa këtë komunikim une nuk do kisha mundësi të përcjell as televizionin. Tani çdo ditë në ora 17:00 dhe 19:30, rri pranë televizorit dhe i pres lajmet për personat e shurdhër. Edhe kur familjarët nuk i kam këtu për interpretim, jam i pavarur përmes televizorit me gjuhën e shënjave”, u shpreh Ramadan Gashi.
Barazia në informim e edukim, ndikon direkt në përmirësimin e jetës së tyre, thotë interpretja e gjuhës së shenjave Rukije Gashi. Ajo thekson nevojën që ky shembull të ndiqet edhe nga institucione e media të tjera në vend.
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla tha se kjo hapësirë e re synon të siguroi qasje te barabartë për të gjithë komunitetin për të ofruar informacion të shpejtë dhe të rëndësishëm për ta. Ai theksoi se menaxhmenti i RTK-së edhe tutje do të vazhdojë të mbështet kërkesat dhe nevojat e tyre.
“RTK që nga muaji prill ka fillu transmetimin e edicionit të lajmeve, pra mediumi jonë është i vetmi në Kosovë që transmeron edicionin qendror të lajmeve në gjuhën e shenjave. Në politiken tonë redaktuese, e kemi parë të domosdoshme një veprim të tillë, jo vetëm si çështje e të drejtave të njeriut por edhe e barazisë sociale. RTK, do të vazhdojë të kontriboi për të gjithë komunitetet që duan të marrin informacion nga RTK", deklaroi Gërvalla.
RTK-3 mund të gjendet në të gjitha platformat e rrjeteve kabllore. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Kosovë llogaritet së jetojnë afër 5 mijë persona që kanë probleme me dëgjim, kurse aktualisht janë vetëm 16 interpret/përkthyes të gjuhës së shenjave në gjithë Kosovës.























