Mbyllen 6 njësi të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri
B. H. | RTKlive
(Plotësuar, 16:45) Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë operacionit që po e zhvillon sot në veri ka mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës Bankë Postare Kursimore.
Sipas njoftimit të policisë, deri më tash aksioni ka kaluar pa ndonjë problem apo incident.
“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës. Ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident. Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia me aksion në veri ndaj biznesve me veprimtari të kundërligjshme
Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në disa biznese në veri të vendit, të cilat janë duke zhvilluar veprimtari të kundërligjshme.
Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi ndërhyrë dhe të njëjtat jemi duke i kontrolluar. Bashkë me ne janë edhe zyrtarët e ATK-së”, ka theksuar Elshani.
Ai nuk ka dhënë detaje tjera lidhur me këtë aksion. Ndërkohë, mediat raportojnë se është bastisur edhe ndërtesa e Administratës së Thesarit në Mitrovicën e Veriut.























