Elshani për protestën: Situata nën kontroll, pak protestues
Edina Avdiu|RTK
(Plotësuar, 16:00) Sipas informacioneve që ka siguruar RTK, vetëm rreth 20 persona janë mbledhur për të protestuar në territorin e Serbisë, por që nuk shihen në afërsi të kufirit në Jarinjë.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale për Mitrovicë, Veton Elshani, në një përgjigje për RTK-në ka thënë se policia i ka marrë masat në mënyrë që situata të jetë nën kontroll.
“Nuk kemi pasur ndonjë problem për t’u theksuar. Rruga është e hapur, nuk kemi ndonjë problem në këtë pikë kufitare. Ka qenë një numër shumë i vogël”, ka thënë Elshani.
Ndërkohë, nuk dihet kush është organizatori i kësaj proteste.
Pika kufitare në Jarinjë, patrullim edhe nga ajri me helikopterë
Pas paralajmërimit për protestë në Serbi, në Leposaviq vërehet prezencë më e madhe e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
Megjithatë situata në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë është e qete dhe qarkullimi po vazhdon normalisht.
Përveç KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë po qëndrojnë edhe automjete te misionit të Bashkimit Evropian për zbatim të ligjit, EULEX si dhe karabinierët.
Patrullimi i kufirit po bëhet edhe nga ajri me helikopterë. Qarkullimi i automjeteve në këtë pikë kufitare është i vogël.
Ndryshe, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka ftuar qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes pikë - kalimeve kufitare me Serbinë, që të shtunën (sot) të përdorin pika tjera për qarkullim, pasi atje për sot janë paralajmëruar protesta.


























