Rama në Milano: Shqiptarët, urë lidhëse e brigjeve të Adriatikut
rtsh.al
(E plotësuar) Një takim me mesazhe bashkimi jo vetëm me Italinë mike, miqësia me të cilën na lidh prej shekujsh, por edhe me BE-në, ku e ardhmja e Shqipërisë është në familjen evropiane. Këto u përcollën gjatë fjalës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me diasporën që u zhvillua në pallatin e sportit “Busto Arzicio” në Milano.
Kryeministri njohu kontributin e komunitetit shqiptar në Itali si një nga faktorët kryesore të bashkimit të dy vendeve dhe “ura lidhëse e dy brigjeve të Adriatikut”, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që dijen dhe eksperiencën që fituan në vendin fqinj tashmë ka ardhur koha ta investojnë në vendin e tyre të lindjes, pasi mundësitë që ofron Shqipëria janë të pashtershme dhe se vendi ka ndryshuar duke u bërë një partnere e denjë tryezës së ndërkombëtarëve.
“E stato un albanese”, (ishte shqiptar) ishte fraza që dikur na ulte kokën, tha Rama, ndërsa sot komuniteti shqiptar është me kokën lart kudo.
““E stato un albanese”, kjo frazë ishte avazi që shurdhonte veshin dhe ulte kokën e shqiptarëve në çdo mjedis, ku shqiptarit i duhej jo thjeshtë ta fshihte por ta harronte që ishte shqiptar. Kjo frazë bëri që shqiptarët të thonin nuk isha unë dhe e kthyet në një terren pjellor të një komuniteti që fitoi në një luftë paragjykimesh dhe nxorët figura suksesi kudo”, tha Rama.
Duke vlerësuar Kryeministren e Italisë, Georgia Meloni një mike të shqiptarëve, Rama foli edhe për marrëveshjen e pensioneve të arritur me Italinë, ku përfitojnë 421 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj.
Takimi në Milano, mijëra shqiptarë presin Ramën me flamuj kuqezi|Video

(E plotësuar) Me flamuj kuqezi dhe këngë ka nisur takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me diasporën në Itali, aktivitet që po mbahet në pallatin e sportit “Busto Arzicio” në Milano.
Ky është takimi i dytë me diasporën, ndërsa takimi i parë u zhvillua me shqiptarët në Greqi, takim që u mbaj në Athinë mes polemikash të shumta nga politika dhe media greke.
Takimi në Milano pasqyron krejt të kundërtën e takimit të Athinë, në një klimë të qetë politike dhe me një komunitet shqiptar të integruar në jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit, kjo për shkak të politikave që qeveria italiane ka ndjekur me shqiptarët.
Pikërisht këto politika kanë forcuar edhe marrëdhëniet miqësore të shkëlqyera mes Italisë dhe Shqipërisë.
Rama udhëton për në Milano, nis ‘vallen e dytë kuqezi’ në Evropë

N.M/RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fillon sot takimin me diasporën në Milano të Italisë. Ky është takimi i dytë me diasporën, pas atij në Athinë në maj të këtij viti.
Rama, në një postim në Facebook, ka thënë se po niset atje për “vallen e dytë kuqezi” në Europë, me shqiptarët e Italisë, kjo sipas kërkesës së tyre. Ai ka publikuar edhe pamje nga përgatitjet në stadium ku do të zhvillohet takimi me diasporën.
“Nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Turi i takimeve me diasporën “Krenar për Shqipërinë” nisi më 12 maj në Athinë, ndërkohë takimi i radhës është ai i Londrës më 2 qershor dhe 16 qershor në Dyseldorf.























