OSBE dhe Zyra e BE-së: Nevojitet më shumë punë në draftligjin e KPM-së
BKT
Foto: Ilustrim
Lajme

OSBE dhe Zyra e BE-së: Nevojitet më shumë punë në draftligjin e KPM-së

Q.D/M.Sh/RTKlive

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, mirëpresin opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës (KiE) për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

“Ne mbështesim qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga OSBE dhe Zyra e BE-së.

Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai as të minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore, konsideron më tej OSBE dhe PSBE.

“Ne rekomandojmë që Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural të Kuvendit të lërë kohë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me palët e interesuara të sektorit të medias, në mënyrë që rekomandimet e tij më pas të pasqyrohen në një draft të ri”, thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së dhe Përfaqësuesit Special të BE-së.

Kujtojmë se sot Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.


MË SHUME NGA Lajme