Analistë në Serbi: Paketa financiare e BE-së mund ta lëvizë dialogun|VIDEO
Anamari Repic/RTK-Beograd
Nuk pritet përparim në dialogun Kosove-Serbi lidhur me zbatimin e marrëveshjeve për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithatë, analistët politikë në Beograd, planin e BE-se për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, e shohin si stimulim.
“Pyetja është nëse është një mekanizëm i mirë, sepse marrëveshja e Ohrit nënkuptonte gjithashtu ndihme financiare për të dyja palët nëse pranojnë marrëveshjen, dhe ne po shohim se nuk ka interes. Pyetja është nëse ndihma financiare është një mekanizëm i mirë për të sjellë palët deri te në një marrëveshje apo nevojiten instrumente shtesë në dialog”, tha Millosh Pavkoviq, nga “Qendra për Politikat Evropiane”.
Ndërkohë, zbatimi i marrëveshjeve dhe procesi i dialogut do të vonohen për shkak të zgjedhjeve evropiane dhe amerikane. BE-ja i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që në mënyrë konstruktive të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve, për të fituar të drejtën e financimit nga kjo paketë.
“Administrata në largim e Brukselit bëri gjithçka për ta rikthyer politikën e zgjerimit përsëri në rendin e ditës dhe kemi mesazhe inkurajuese se është koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat. Por kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, gjërat janë gjithmonë pak më komplekse. Fakti është se edhe nëse Serbia do të zgjidhte dialogun me Kosovën këtë vit, do të na duheshin të paktën pesë vjet të tjera për t'u përafruar me standardet e BE-se”, deklaroi Sofija Popoviq nga “European Western Balkans”.
Ndryshe, për Beogradin zyrtar themelimi i Asociacionit është çështja pa të cilën nuk ka përparim në dialog. Analistët në Beograd besojnë se Kosova dhe Serbia po blejnë kohë, secila për arsyet e veta të brendshme politike.























