Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi në mes të Korpusit për Paqe dhe UPZ-së
Myrvete Axhami /RTK-Prizren
Një delegacion i Korpusit për Paqe, nga SHBA, të shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Grynder Alyson, kanë vizituar Prizrenin. Ata nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin”Ukshin Hoti”për shkëmbimin e studentëve.
''Vizita e zonjës Spahn është një mundësi e mirëfilltë për të treguar më së miri bashkëpunimin tonë në fushën e shkëmbimit të përvojave kulturore. Po ashtu është momenti më i mirë për të pranuar dhe treguar punën e palodhshme të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët kanë qenë të involvuar me të gjitha komunitetet në Republikën e Kosovës. Duke sjellë eksperiencën dhe shkathtësitë e tyre në misionin e tyre të paqes dhe progresit”, tha Mentor Alishani, rektor i UPZ.
Ndërsa drejtoresha e Korpusit për Paqe në Amerikë, Carol Spahn, tha se e shohin të rëndësishëm shkëmbimin e studenteve në këtë fushë.
“Jam shumë falënderuese për punën e vullnetarëve dhe profesorëve, ku së bashku me studentë të tjerë ndajnë përvojat e tyre në fushën e edukimit. Mësimi i një gjuhe të huaj, këtë rast, anglishtes, nuk do thotë vetëm mësimi i saj, por edhe vetë njohuria me kulturën e një populli. Ju jam mirënjohëse për punën tuaj te palodhshme'', tha Carol Spahn, drejtoreshë e Korpusit për Paqe në Amerikë.
Studentët e UPZ-së janë interesuar për misionin dhe kriteret për të qenë pjesë e Programit për Paqe.
''Prioriteti i programit tonë është edukimi. Jemi të lumtur që këtë mision, së bashku me studentët e Universitetit të Prizrenit po e përforcojmë, ku jemi duke përgatitur edhe trajnime të ndryshme për profesor universitarë. Në anën tjetër, përgatitja e fëmijëve - në Kampusin e Paqes është një tjetër pikë shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve për t’u edukuar në fusha të ndryshme'', tha Carolin Siganda, nga Korpusi për Paqe në Kosovë.
Delegacioni i Korpusit për Paqe i bëri vizitë edhe stafit të ‘DokuFestit’, të cilët kanë një bashkëpunim të mirëfilltë. Vizita e zyrtarëve të kësaj organizate, bëhet me rastin e shënimit të 10-vjetorit të shërbimit të mbi 220 vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë.























