QUINT, BE e OSBE i reagojnë Qeverisë për shpronësimet në veri
N.M. /RTKlive
Shtetet e QUINT-it, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe të riafirmojë përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë.
Ambasadat e Shteteve të QUINT-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë], Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë më 6 qershor kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimin që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Misionet e tyre në Kosovë i kanë reaguar Qeverisë pasi ajo mori vendimin që disa prona ta paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin-Potokut të shpronësohen për interes publik. Sipas tyre, Qeveria nuk ka dëgjuar ekspertët ndërkombëtarë dhe ka shkelur ligjin.
“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim. Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe palëve të interesit të respektohen plotësisht”, thuhet në deklaratën përfaqësuesve të këtyre vendeve.
Gjithashtu, këto shtete thanë se i kanë ndarë shqetësimet e tyre me Qeverinë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe thanë se kanë inkurajuar Qeverinë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë.
“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive të gjalla dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, thuhet pos tjerash në këtë deklaratë.























