30 ditë paraburgim për të dyshuarit për spiunazh|VIDEO
Arlinda Sejdiu/RTK
Prokuroria speciale kërkoi paraburgim ndaj B.SH, e M.Q, dy të dyshuarve të arrestuar për spiunazh.
Në departamentin Special, seanca për dy të dyshuarit për spiunazh u mbajt e mbyllur.
Më pas u njoftua se kërkesa e prokurorisë, u miratua nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila të arrestuarve një ditë më parë në Ferizaj, u caktoi nga 30 ditë paraburgim.
Të arrestuarit janë transportuar nga hyrje-daljet jopublike të gjykatës. Pas seancës, u deklarua avokati Besnik Berisha.
Gjatë ditës, policia njoftoi se ka bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, ku janë gjetur e sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska e gasmaska ushtarake.
Ndërkohë, për rastin foli edhe kryetari I Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai përgezoi punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në lidhje me këtë rast, derisa shtoi se është I bindur se ka edhe shumë raste të tjera të ngjashme.
“Qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Kosovës dhe krijimi i agjentëve të brendshëm në Kosovë edhe nga radhët e shqiptarëve që me vazhdua sfidimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e strukturave tona institucionale”, tha Konjufca.
Njohës të çështjeve të sigurisë, deklarojnë se ky rast dëshmon se Serbia nuk ndalon së vepruari për t'a destabilizuar Kosovën.
"Ne forma të ndryshme edhe jo konvencionale për të penguar Kosovën për të destabilizuar Kosovën kurse në anen tjetër kjo reflekton dhe tregon që është një punë e mirë e bërë e institucioneve të sigurisë sidomos atyre tëb zbulimit”, tha Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë.
E një ditë më parë, edhe kryeministri Albin Kurti, në deklarim për mediat në Tiranë vlerësoi lartë punën e AKI-së dhe Policisë. Në mungesë të mbështetjes nga qytetarët në veri, Kurti tha se Serbia po tenton ta destabilizojë veriun nëpërmjet Milan Radoiçiq apo duke punuar me struktura kriminale.























