Vrasja në Dhërmi, policia sjell detaje
RTSH
Policia ka konfirmuar dyshimet se vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi, që tronditi Dhërmiun ditën e enjte, mund të jetë kryer nga Gerald Shehu me ndihmën e bashkëpunëtorëve.
43-vjeçari Shehu dyshohet se i shfrytëzoi bashkëpunëtorët për të larguar e për të fshehur trupin e viktimës në orët e para të të enjtes. Pasi e qëlloi me armë zjarri, Shehu dyshohet se u ndihmua nga dy punonjës të hotelit të tij, banues në Korçë.
Ndërsa autori u prangos një ditë më parë në një prej aeroporteve të shtetit grek në tentativën për t'u arratisur, kriminalistët kanë vijuar të grumbullojnë prova të mundshme në automjetin e tij. Makina e të dyshuarit kryesor ishte braktisur në Sarandë.
Kërkimet u kryen edhe në banesën e Shehut, ku "nga këqyrja, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur".
Sipas burimeve policore, vrasja e 31-vjeçarit Nevruzi ndodhi jashtë ambienteve të hotelit ku ai shërbente, i cili bashkadministrohej nga i dyshuari Shehu.
Për zbardhjen e ngjarjes, në terren kanë zbritur drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit dhe janë marrë në pyetje mbi 20 shtetas. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Shehu akuzohet për veprat penale "Vrasja me paramendim" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", ndërsa dy ndihmësit e dyshyar për veprën penale "Fshehja ose asgjësimi i kufomës", kryer në bashkëpunim.























