SHBA: Përzgjedhja e anëtarëve të KLP dhe KLGJ, jo përmes shortit
ATSH
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi sot për përzgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.
“Ambasada e SHBA-së po ndjek nga afër procesin e sotëm të Nënkomisionit Parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor”, thuhet në një reagim të ambasadës.
“Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga Nënkomisioni në vend që t’i drejtohet rastësisë përmes një shorti”, thekson ambasada e SHBA.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe garanton shtetin e së drejtës”, nënvizon ambasada e SHBA-së.























