Kurti për këngëtaren Shkurte Fejza: Në ditët e robërisë, na ka frymëzuar
E.Hoti RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në koncertin e këngëtares së mirënjohur, Shkurte Fejza, "50 vjet zëri i kombit", në 50- vjetorin e karrierës së saj, i organizuar dhe i mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
“Gjysmë shekulli karrierë me dashuri të pakushtëzuar dhe zë të pa kompromis për Kosovën. Çfarë kënaqësie dhe nderi të jemi pjesë e shënimit të 50 vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës! Faleminderit nga zemra për këngët që na kanë bashkuar duke na frymëzuar në çdo kohë dhe na kanë mbushur me shpresë duke na dhënë forcë në momentet më të vështira”, ka shkruar Kurti në Facebook .
Kurti ka thënë se në ditët e errëta dhe të vështira Shkurte Fejza na ka trimëruar dhe ngushëlluar, duke bërë që kurrë mos të harrojmë dashninë për Kosovën.
“Me ju, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Në ditët e errëta dhe të vështira ju na keni trimëruar dhe ngushëlluar, duke bërë që kurrë mos të harrojmë dashninë për Kosovën”, sh ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se koncerti nën përkujdesjen e çmueshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, A.K.K.V. “Shota” dhe Radio Televizionit të Kosovës ishte një sukses i jashtëzakonshëm me artistë të shumtë që nderuan bashkëpunimet e saj ndër vite nën dirigjimin e Valton Beqirit me orkestrën përplot me të rinj e të reja profesionistë që performuan me mjeshtëri.
“Edhe mbrëmë si ngahera me këngët tuaja ishim me qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme për Kosovën dhe kombin”,ka shkruar Kurti.
“Gëzuar Zonja jonë Fejza, e dashura Shkurte, për 50 vite të arta! Ju uroj edhe shumë e shumë vite të tjera me shëndet dhe suksese. Rritja e ngritja e Kosovës dhe jehona e këngëve tuaja ecin bashkë”, ka shkruar tutje Kurti.























